75 Mall Live Search
21:56 / E Diele, 21 Dhjetor 2025 / F.R

Policia jep detaje për arrestimin e ish-pjesëtarit të MUP-it

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e një ish-pjesëtari të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq.

Sipas raportit të Policisë, arrestimi është kryer në Leposaviq, nën dyshimet për veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “rrëmbim”, që dyshohet se kanë ndodhur më 1 nëntor. Gjatë bastisjes së shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit, Policia ka sekuestruar prova materiale që mund të lidhen me rastin, përfshirë armë, municion dhe pajisje elektronike.

Policia e Kosovës, gjatë bastisjes ka gjetur dhe sekuestruar nëntë telefona celularë, një laptop, disa dokumente, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë si dhe një tytë arme. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Për arrestimin e tij ka reaguar edhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një postim publik, Sveçla ka bërë të ditur se arrestimi është kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në kuadër të hetimeve për rrëmbimin e Milan Vukashinoviqit brenda territorit të Kosovës.

Sipas tij, ekzistojnë dyshime se V.M. ka qenë në kontakt me struktura të inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, si dhe se ka pasur dijeni për aktivitete që përbëjnë rrezik serioz për sigurinë.

Autoritetet e Kosovës thonë se Vukashinoviq dyshohet se u plagos dhe më pas u rrëmbye në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, përpara se të dërgohej fillimisht në spitalin e Prokuples dhe më pas në Qendrën Klinike të Nishit.

Ndërkohë, familja e Vukashinoviqit ka dorëzuar padi në Serbi ndaj personave që dyshohet se janë pjesëtarë të Ushtrisë ose Policisë së Serbisë, si dhe ndaj Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, shkruan RTK.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se ai ishte sulmuar për shkak të kundërshtimit të politikave të autoriteteve në Serbi.

Sipas Radios Evropa e Lirë, përmes mjeteve forenzike të identifikimit të fytyrës, se Milan Vukashinoviq është personi që më herët kishte folur publikisht për presionet ndaj tij në një intervistë për një televizion në Serbi. Në atë intervistë, ai kishte deklaruar se ishte ndier i kërcënuar për shkak të refuzimit për tu larguar nga institucionet e Kosovës dhe se nuk ndihej i sigurt të udhëtonte në Serbi.