15:46 / E Hënë, 22 Prill 2019 / indeksADMonline

Policia jep detaje për krimin brenda familjes që tronditi kryeqytetin

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë përkitazi me vrasjen e trefishtë që ka ndodhur sot në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë në një konferencë për gazetarë se për rastin janë informuar në orën 13 e 30 minuta dhe se menjëherë ekipet përkatëse të policisë i janë përgjigjur rastit.

“Policia iu ka përgjigjur rastit dhe ka ftuar mjekët, njësinë ligjore, forenzikën dhe njësitë tjera që kërkohet të dalin në vendin e krimit. Fillimisht nga informacionet bëhet fjalë për vdekje të dyshimtë, ndërsa më pas është kuptuar se një person i gjinisë mashkullore ka vrarë gruan, rejën dhe më pas veten”, ka thënë Kelani.

Ai tha se personi i gjinisë mashkullore që dyshohet se ka kryer krimin është i lindur në vitin 1958, gruaja e tij e lindur në vitin 1959 ndërsa reja e lindur në vitin 1991.

Policia me të gjitha njësitet përkatëse është ende në vendin e ngjarjes dhe po merret me hetimin e rastit./Indeksonline/