Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme në Pejë

Indeksonline ka raportuar mbrëmë se pak para mesnate, në qytetin e Pejës janë dëgjuar krisma armësh.
Burimet fillestare bënë të ditur se nga këto të shtëna që u dëgjuan pranë vendit të njohur si “Te Dulia”, ka pasur edhe të plagosur.
Ndërkohë, rastin për Indeksonline e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Rugova ka ndarë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të viktimave, duke pohuar se të njëjtit janë duke marrë trajtim mjekësor.
“Me datë 13.06.2023, rreth orës 23:30, Policia është informuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ali Pashë Gucija” në Pejë.
Si pasojë e këtyre të shtënave, dy persona janë plagosur. Të njëjtit janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, dhe të njëjtit, sipas ekipit mjekësor, janë jashtë rrezikut për jetë” ka thënë Rugova për Indeksonline.