17:27 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Policia jep detaje për protestën e Vetëvendosjes

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për protestën e sotme të mbajtur në kryeqytet, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër Hashim Thaçit.

Përmes një komunikate, policia ndonëse nuk ka dhënë shifër për numrin e protestuesve, ka bërë të ditur se qytetarët kanë treguar kulturë të lartë duke protestuar qetë, transmeton Indeksonline.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Ashtu siç është bërë e ditur Policia e Kosovës (PK) me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar për sot (29.09.2018) në Prishtinë, për të garantuar rend, qetësi dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.

Protesta ka filluar diku rreth orës 14:00, fillimisht protestuesit janë tubuar tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, për të vazhduar më pastaj në drejtim të sheshit Skënderbeu, nga ku janë mbajtur edhe disa fjalime nga personalitete të ndryshme para protestuesve.

Për lëvizjen e lirë të protestuesve dhe qytetarëve, duke përfshirë edhe ri-drejtimin e trafikut përgjatë marshutës së protestuesve, në vazhdimësi janë kujdesur njësitet relevante policore të angazhuara sipas planit policor.

Vlen të potencohet se Policia e Kosovës përmes implementimit të planit policor, është kujdesur që në aspektin e sigurisë protesta të kalojë e qetë dhe pa incidente, një kontribut të madhe në këtë drejtim dhanë edhe vet qytetarët, të cilët treguan një kulturë të lartë duke protestuar në mënyrë të qetë.

Rreth orës 16:10 protestuesit kanë filluar të shpërndahen, protesta ka përfunduar e qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës beson në kulturën e lartë të qytetarëve dhe shpreson se kjo ditë, protestë të kaloj e qetë. /Indeksonline/