Policia jep detaje për protestën në Poterq të Klinës (Video)
Në fshatin Poterq të Epërme në komunën e Klinës është duke u mbajtur një protestë, ku sipas informatave të një qytetari, protesta po mbahet kundër ndërtimit të Kishës Ortodokse Serbe në këtë fshat dhe kundër vizitave të serbëve.
Mirëpo, sipas Policisë së Kosovës kjo protestë nuk ka të bëj për ndërtimin e ndonjë kishe, por banorët e kësaj ane po shprehin pakënaqësinë e tyre për një manifestim që do mbajnë serbët.
Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova i cili tha se sipas informacioneve që kanë, në orën 11:00 disa qytetarë të komunitetit serbë kanë pasur për qëllim shënjimin e një manifestimi.
“Kjo nuk është një protestë kundër kishës, pasi nuk ka një gjë të tillë aty. Rreth orës 11:00 është paraparë që të ketë një manifestim të qytetarëve të komunitetit serbë në këtë fshat, dhe si shenj proteste banorët shqiptar të kësaj ane kanë dal edhe me automjete. Deri më tash nuk kanë arritur ende qytetarët serbë, forcat policore kanë dalë për ta monitoruar këtë situatë dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë incident”, ka thënë ai për Indeksonline.
Ndryshe, sipas protestuesve, arsyeja kryesore e protestës është sepse në këtë fshat kanë mbetur të vrar 17 civil në luftën e fundit në Kosovë./Indeksonline/