75 Mall Live Search
14:46 / E Mërkurë, 22 Qershor 2022 / LB

Policia jep detaje për shpërthimin në Prishtinë ku mbeten të dëmtuara tri vetura

Policia e Kosovës, është duke hetuar një rast shpërthimi në mëngjesin e kësaj të mërkure, të ndodhur në rrugën ‘’Dalmatët’’ në Prishtinë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se rreth orës 06:30, është raportuar se  në rrugën “Dalmatët” në Prishtinë, një veturë është dëmtuar nga një mjet i dyshuar shpërthyes.

Dyshohet që nga shpërthimi të jenë prekur edhe dy vetura të tjera të parkuara përreth.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe nga informacionet e para dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 03:00, ndërkohë që nuk raportohet për të lënduar.

Dëmet materiale dyshohet të kenë ardhur si pasojë e shpërthimit të mjetit shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore.

Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.