Policia jep detaje rreth shpërthimit pranë një kolegji në Prishtinë

IndeksOnline raportoi më herët për një shpërthim të ndodhur pranë kolegjit privat “Heimerer” në Prishtinë.
Burimet fillestare pohuan se nga ky shpërthim pati të lënduar, teksa reagimi i njësiteve mjekësore dhe atyre të policisë ishte i menjëhershëm.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, deklaroi për IndeksOnline se incidenti ndodhi rreth orës 16:30.
“Sot rreth orës 16:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në një objekt në rrugën “Kadri Zeka” në Prishtinë. Si pasojë e shpërthimit, lëndime ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor. Policia, në koordinim me prokurorinë, po kryejnë veprimet e nevojshme lidhur me këtë ngjarje”, deklaroi Ahmeti.
Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe rektorja e këtij kolegji, Naime Brajshori.
Incidenti, sipas Brajshorit, ka ndodhur në pjesën e bazës së sistemit të ngrohjes, që gjendet në oborr, jashtë objektit të kolegjit.
“Gjatë këtij procesi, një punëtor i kompanisë së kontraktuar për servisim ka pësuar lëndime të lehta. Fatmirësisht, ai është mirë dhe po merr kujdesin e duhur”, tha Brajshori./IndeksOnline/