75 Mall Live Search
09:50 / E Hënë, 15 Maj 2023 / k.v

Policia jep detaje të reja për gjuajtjen me armë në “Breg të Diellit” (Video)

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për gjuajtjen me armë zjarri të ndodhur pasditen e së dielës në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë. Personi i cili është vënë në pranga, paraprakisht e kishte hedhur në shportë mbeturinash kallashnikovin me të cilin shtiu në drejtim të një veture në të cilën ndodheshin tre persona.

Rasti sipas policisë ka ndodhur në rrugën “Gazmend Zajmi”, rreth orës 18 e 20 minuta, transmeton IndeksOnline.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin e bazuar se i njëjti kishte hedhur në një shportë mbeturinash një armë zjarri AK-47, me të cilën dyshohet se kishte shtënë në drejtim të një veture në të cilën ndodheshin tre persona. Njësitet policore kanë konfiskuar armën dhe 27-fishekë, ndërsa vetura  e dëmtuar është sekuestruar për ekzaminim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në stacionin policor janë paraqitur tre viktimat meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë qenë në veturë në momentin kur është shtënë në drejtim të veturës.

Me vendim të prokurorit janë iniciuar dy raste të veprës penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje./IndeksOnline/