Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Florjan Tabakut nga Bajram Curri
Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike për bashkëpunim me qytetarët në gjetjen e personit të zhdukur Florjan Tabaku, 26-vjeçar nga Bajram Curri, shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, zhdukja e tij është raportuar më 21 tetor 2025, pasi Florjani kishte humbur kontaktin me familjarët gjatë mbledhjes së gështenjave në zonën kufitare “Qafë Morinë – Gjakovë”.
Në momentin e zhdukjes, ai ishte i veshur me pantallona të zinj, bluzë të kuqe dhe atlete të bardha. Pavarësisht kërkimeve intensive të ndërmarra nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me FSK-në dhe organizatat vullnetare për kërkim-shpëtim, personi i zhdukur ende nuk është gjetur.
Policia apelon te qytetarët dhe mediat që në rast se kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e Florjan Tabakut, të kontaktojnë menjëherë në numrin 192 (pa pagesë) ose në stacionin më të afërt policor.

