Policia kryen kontrolle në pesë lokacione në Veri nën dyshimet për armëmbajtje pa leje, s’ka të arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë kryer kontrolle në pesë lokacione në rajonin e Mitrovicës së Veriut për dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Në një shtëpi në Soqanicë policia ka hasur dy armë që ishin në proces të legalizimit.
“Rasti I: Në një shtëpi banimi në Soqanicë, Komuna Leposaviq Policia ka hasur në dy armë të cilat ishin në proces të legalizimit. Pronari i tyre kishte pasur leje për posedim të armëve nga UNMIK-u ndërsa tani kishte aplikuar për vazhdim të lejeve tek institucionet kompetente.”

Në rastin e dytë, një person në Leposaviq ka thënë se e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK’ut, të cilën e ka shitur në vitin 2006.
“Rasti II: Në një shtëpi banimi në Ibarska Sllatin, Komuna Leposaviq është kontrolluar shtëpia dhe nga pronari Policia është informuar se ai e ka pasur një armë gjuetie me leje të UNMIK-ut të cilën e kishte shitur në vitin 2006, duke i respektuar procedurat ligjore mbi shitjen.”
Në rastin e tretë, një person ka thënë se dy armët që i kishte me leje të UNMIK’ut i ka dërguar në Serbi. Në shtëpinë e tij është sekuestruar një sasi e vogël e municionit.
“Rasti III: Në një shtëpi banimi në lagjen Korile Komuna Zveqan, është kontrolluar një shtëpi dhe nga pronari Policia është informuar se dy armët të cilat i kishte me leje të UNMIK-ut i kishte dërguar në Serbi. Në shtëpi është gjetur një sasi e vogël e municionit të cilat janë sekuestruar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”
Në rastin e katërt, në një shtëpi nuk është hasur pronari, por ai ka thënë se do ta dorëzojë nesër armën me leje të UNMIK’ut të skaduar.
“Rasti IV: Në një shtëpi banimi në fshatin Okllaqe Zubin Potok është kontrolluar shtëpia ku nuk është hasur në diçka të dyshimtë, është kontaktuar pronari nëpërmes telefonit i cili ka thënë se armën të cilën e kishte me leje te UNMIK-ut të skaduar, do ta sjell nesër stacionin Policor.”
Në një shtëpi në Uglar është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK’ut.
“Rasti V: Në një shtëpi banimi në fshatin Uglar Zubin Potiok është kontrolluar shtëpia ku është gjetur një armë gjuetie me leje të skaduar të UNMIK-ut e cila është sekuestruar. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.”
Policia thotë se s’ka persona të arrestuar.