75 Mall Live Search
20:04 / E Diele, 20 Mars 2022 / AR

Policia kufitare e Lindjes parandalon kontrabandën me mallra, detaje nga rasti

Njësia patrulluese e policisë kufitare të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të kufirit Muqiverc, sot rreth orës 17:10, ka arritur të identifikojë dhe të parandalojë një rast të kontrabandës me mallra.

Kështu bëjnë me dije burimet e Indeksonline derisa njoftojnë se, një person kishte tentuar kontrabandimin e mjeteve bujqësore nga Serbia për në Kosovë.

Rasti ka ndodhur afër fshatit Novosellë, teksa është hasur kamioneta ngjyrë e bardhë me targa kosovare. Aty kishte mjete bujqësore (kutivaltor si dhe makina ndihmëse).

Dyshohet se drejtuesi i automjetit H.N kosovar, kishte shfrytëzuar rrugët malore, ilegale për të kontrabanduar mjetet nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Drejtuesi i automjetit është ndaluar për intervistim kurse automjeti dhe ngarkesa janë konfiskuar, thonë burimet.

“Rasti është duke u trajtuar si ‘kontrabandë me mallra’ nga hetuesit policorë të Njësisë së Hetimeve Rajonale të Drejtorisë Kufitare Lindje. Rasti do të trajtohet në bashkëpunim me organet e drejtësisë, kurse automjeti dhe ngarkesa do të dorëzohen në Doganën e Kosovës”, tregojnë tutje burimet./Indeksonline/