Policia: Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka larguar arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit pas shqetësimit të banorëve.
Sipas policisë, arinjët janë larguar nga shoqata e gjuetarëve “Dhia e egër” dhe janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.
Raporti i PK-së:
Largohen arinjtë nga fshati Bellobrad i Dragashit
Prizren, 17 nëntor 2025
Ditëve të fundit në fshatin Bellobrad dhe rrethin janë paraqitur disa arinj, gjë që ka shkaktuar shqetësim tek banorët e zonës, sidomos tek prindërit e nxënësve të shkollës së fshatit. Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme.
Policia, konkretisht stacioni policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse:
– Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës,
– Drejtorin e parkut kombëtar “Sharri”,
– Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe
– Shoqatën e gjuetarëve “Dhia e egër” nga Dragashi.
Nga shoqata e gjuetarëve “Dhia e egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.
Policia informon edhe njëherë banorët e fshatit Bellobrad dhe rrethin se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët.
Falënderojmë të gjitha institucionet dhe shoqatën e gjuetarëve për bashkëpunimin e treguar në këtë rast.

