09:34 / E Enjte, 21 Mars 2019 / indeksADMonline

Policia largon të gjitha veturat e parkuara afër stadiumit “Fadil Vokrri”

Drejtoria Rajonale e Policisë- Prishtinë, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura policore për ndeshjen e futbollit , e cila do të zhvillohet sonte në ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, mes Kosovës dhe Danimarkës.

Policia me njësitet e saja përkatëse është e gatshme për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.

Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veproj në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.

Në këtë kontekst, policia do të ndërpres qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët: Enver Zymberi dhe Rinia.

Policia kërkon ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lutë qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet e tyre drejt stadiumit të qytetit me vetura./Indeksonline/