75 Mall Live Search
16:56 / E Premte, 27 Qershor 2025 / MSH

Policia merr masa për sigurinë, gjatë manifestimeve të “Vidovdan-it”

Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen nesër, më 28 qershor 2025, Policia e Kosovës, me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar.

Lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan, përmes një takimi zyrtar të mbajtur sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim.

Nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm.

Po ashtu, me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve, pjesëmarrësve në trafik.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim.