Policia merr në pyetje pesë të dyshuar, lidhur me institucionet e mbyllura paralele

Policia e Kosovës ka thënë të mërkurën se do t’i intervistojë pesë persona, të dyshuar për “falsifikim të dokumeteve”, lidhur me pesë institucionet paralele serbe, në veri të Kosovës, të cilat janë mbyllur, më 30 gusht.
Policia i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i ka bërë katër ftesa, ndërsa e pesta do të dërgohet më vonë.
Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, ka thënë se intervistat do të realizohen me kërkesë të prokurorisë.
REL-i ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovës, të cilët kanë qenë në krye të organeve paralele serbe.
Ata janë arrestuar më 30 gusht në një aksion policor të kryer njëkohësisht në disa lokacione në veri të Kosovës.
Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin-Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.