Policia ndalon për 48 orë dy të dyshuarit që vodhën para nga një lokal në Mitrovicë të Veriut
Sot rreth orës 04:50, policia është informuar për një rast vjedhje në rrugën “Dervarska”, në Mitrovicë të Veriut.
Sipas deklarimeve të ankuesit, dy persona të dyshuar kishin hyrë me forcë në lokalin e tij dhe nga aty kishin vjedhur një shumë të parave.
Njëri nga të dyshuarit ishte ndaluar nga punëtorët e një kompanie të sigurimit fizik, ndërsa personi tjetër ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas një pune hetimore-operative, policia ka arritur ta lokalizojë dhe ta arrestojë edhe të dyshuarin e dytë. Të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Në një njoftim, policia bën me dije se arrestuarit janë: K.C. (28 vjeç) dhe Z.M. (42 vjeç).
Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një shumë e parave që dyshohet se ka lidhje me rastin.
“Nga hetimet e deritanishme, ekzistojnë dyshime se të njëjtit mund të jenë të përfshirë edhe në dy raste të tjera të vjedhjeve të raportuara ditëve të fundit, ndërsa njëri nga të dyshuarit e ka pranuar përfshirjen në këto raste gjatë fazës së intervistimit.
Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit te Shtetit, i cili me aktvendim ka urdhëruar ndalimin e të dy personave për 48 orë, ndërsa është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”” thuhet në njoftimin e policisë.


