75 Mall Live Search
01:15 / E Diele, 19 Mars 2023 / MSH

Policia ndalon për 48 orë të dyshuarit për vrasjen në Dragodan

Indeksonline ka raportuar gjatë gjithë ditës me detajet më të reja sa i përket ngjarjes tragjike që ka ndodhur sot në Dragodan, ku nga të shtënat me armë zjarri, një perosn ka ndërruar jetë dhe dy të tjerë janë plagosur me mjete te mprehta.

Ndërkohë, policia kishte bërë me dije më herët se ka arrestuar dy të dyshuar për rastin fatal.

Të dyshuarit në fjalë janë pikërisht të plagosurit nga rasti.

Policia ka konfirmuar gjithashtu se të njëjtit tashmë edhe janë ndaluar për 48 orë.

Njëri nga ta, është dërguar në masën e mbajtjes pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, pasi ishte lënduar.

Ndërkaq, i dyshuari tjetër është akoma duke u trajtuar në QKUK.

Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe përfundimit të veprimeve fillestare hetimore, është ngritur dyshimi i bazuar, se personat e dyshuar për rastin e vrasjes, janë dy personat të cilët pasi ka ndodhë ngjarja janë dërguar për trajtim në QKUK.

Për të dy personat e dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Njëri nga personat e lënduar pas trajtimit të nevojshëm mjekësor dhe intervistimit nga ana e policisë është dërguar në qendër të mbajtjes.

Ndërsa i dyshuari tjetër (po ashtu nën masën e ndalimit), po vazhdon të trajtohet në QKUK.

Policia ka gjetë dhe sekuestruar, një armë zjarri dhe një thikë, të cilat dyshohen të jenë përdorur në rastin e sipërshënuar.