Policia ndalon punimet të një objekti në Prishtinë, gazetari Sadiku rrëfen ngjarjen

Pas urdhërit të prokurorisë, policia ndalon punimet te prona prej 3 hektarëve në Veternik – Prishtinë
Gazetari Arlind Sadiku rrëfen ngjarjen rreth pronës që pretendohet se i takon familjes së tij
Më poshtë, ju sjellim pamjet:
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka dhënë urdhër të përkohshëm ndalues lidhur me tre hektarët tokë kontestuese në Veternik, për çka tashme janë vendos edhe shiritat nga nga Policia e Kosovës.
Kjo pronë dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, kishte kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.
Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojta e palëve të dëmtuar, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.
Ajo tha se ky urdhër i prokurorisë vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e kthyer për herë të dytë në rivendosje rastin ku po kërkohej sekuestrimi e përkohshëm i kësaj prone. Teksa shtoi se, pas 7 ditësh pret që edhe Gjykata të marr vendim për sekuestrim.
Fillimisht, kërkesa e palëve të dëmtuara Gursel e Nexhat Sadikut për sekuestrimin e pronës rreth tre hektarësh në Veternik, ku edhe po zhvilloheshin ndërtime, ishte refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë vendim, në Gjykatën e Apelit ishin ankuar Prokuroria dhe avokatët e palëve të dëmtuara. Shkalla e dytë e kishte aprovuar ankesën dhe rastin kishte vendosur ta kthejë në rigjykim, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë, pasi gabimisht janë aplikuar dispozitat ligjore në rastin e refuzimit të kërkesës për urdhrin e masës së sigurisë.
Gjykata e Apelit kishte vlerësuar se provat materiale si dokumenti “Resenje Broj” i vitit 1961 i cili dyshohet se është i falsifikuar, konkretisht nënshkrimi i dhënë në atë dokument nuk është i Milorad Filipoviq, përmes të cilit dokument tashme e ndjera Z.H, nëna e Ylber Hysenit, kishte fituar të drejtën e kësaj prone.
Gjithashtu, thuhej se Gjykata e shkallës së parë, nuk e ka arsyetuar faktin se parcelat të cilat janë paraqitur për sekuestrim të përkohshëm, a ka pasur ndërrim të subjekteve si pronarë.
“Z. H ka qenë e ëma e tani të pandehurit Ylber Hyseni i cili si derivat i këtyre veprimeve ishte shpallur trashëgimtar, ndaj të cilit prokuroria ka bërë kërkesë dhe se ngastra kadastrale e fituar nga i pandehuri ka pësuar ndryshime dhe se në këtë pronë, a është bërë ndryshimi i gjendjes faktike dhe cenimi i interesave pronësore të paraqitësve të kësaj kërkesë”, thuhej në vendimin e parë të Apelit.
Apeli kishte arsyetuar se vendimi i shkallës së parë është kontradiktor, i paqartë dhe në kundërshtim më veten, prandaj edhe ishte kërkuar që të evidentohen këto shkelje.
Mirëpo, edhe në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, e kishte refuzuar kërkesën për sekuestrim të përkohshëm të kësaj parcele, deri në vendosjen përfundimtare të kësaj çështjeje.