Policia në Prishtinë ekzekuton 216 urdhëresa të gjykatës dhe shqipton mbi 4 mijë gjoba gjatë një jave

Policia rajonale e Prishtinës ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka realizuar një sërë aktivitetesh intensive në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit.
Gjatë kësaj periudhe, në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara, zyrtarët policorë kanë ekzekutuar gjithsej 216 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 84 për vepra penale, ndërsa të tjerat kanë qenë për kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe çështje të tjera procedurale.
Sipas policisë, të gjithë personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pas kryerjes së obligimeve të përcaktuara me urdhëresë.
Në të njëjtën kohë, janë sekuestruar tri armë zjarri dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si pjesë e veprimeve për garantimin e sigurisë publike.
Policia gjithashtu ka ndërmarrë një fushatë të gjerë në trafikun rrugor. Gjatë javës, janë shqiptuar 4108 masa administrative me gjobë, përfshirë 659 shkelje të kapura nga vetura inteligjente dhe ajo me radar mobil.
Policia e Kosovës thekson se angazhimi i saj për zbatimin e ligjit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët do të vazhdojë me intensitet të lartë.