Policia në Prishtinë godet shpërndarësit e drogës, konfiskon një sasi narkotikësh në disa raste

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, njësia në Prishtinë, gjatë punës operative në terren, kanë pranuar informatën për përfshirje të dy të dyshuarve në trafikim me lëndë narkotike.
Në vazhdën e trajtimit të rastit, hetuesit e antidrogës dje (18.09.2025), në orët e mbrëmjes, kanë realizuar një plan taktik për të kapur të dyshuarit. Policia ka arritur ta ndalonte automjetin me të cilin po udhëtonin të dyshuarit, ku gjatë kontrollit te njëri i dyshuar është gjetur substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit kokainë me peshë 0.6 gramë dhe substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 3.5 gramë.
Gjatë realizimit të planit, një i dyshuar tjetër me veturë, me të vërejtur policinë, e ka braktisur veturën dhe ka arritur të ikte. I dyshuari në tokë ka hedhur një qese me substancë që dyshohet të jetë marihuanë me peshë p 41.8 gramë, kurse në veturë janë gjetur dhe janë konfiskuar si prova materiale edhe 180 euro dhe një telefon.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është kontrolluar banesa e njërit të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë konfiskuar provat: pesë qese me substancë që dyshohet të jetë narkotike e llojit marihuanë me peshë 545.6 gramë, një peshore dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin. Në banesën e të dyshuarit tjetër janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë: substancë që dyshohet të jetë narkotike- marihuanë me peshë 9.2 gramë, 15 kuti plastike të mbjella me kërpudha narkotike, 179 kavanozë të mbushur me fara në fazën e prodhimit për kërpudha narkotike.
Me aktvendim të prokurorit i dyshuari L. A., mashkull kosovar, është dërguar në mbajtje për 48 orë.


