Policia në Prishtinë publikon raportin e sigurisë: Bie numri i grabitjeve, vjedhjeve dhe aksidenteve në trafik
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka prezantuar sot raport-analizën mujore të sigurisë për muajin prill 2026, duke krahasuar të dhënat me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sipas statistikave zyrtare të prezantuara nga Policia e Kosovës, situata e sigurisë dhe rendit publik në rajonin e Prishtinës ka shënuar përmirësim të dukshëm, me ulje të disa veprave penale dhe aksidenteve në trafik.
Nga analiza rezulton se veprat penale “Lëndim i rëndë” kanë shënuar ulje prej 11 për qind, ndërsa rastet e vjedhjeve janë zvogëluar për 14 për qind.
Rënie edhe më të madhe kanë pësuar rastet e grabitjes, të cilat sipas raportit kanë rënë për 60 për qind krahasuar me muajin prill të vitit paraprak.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe njësitet policore kanë shqiptuar afro 20 mijë gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, si pjesë e aktiviteteve për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe zbatimin e ligjit.
Sipas raportit, këto aktivitete kanë ndikuar edhe në uljen e numrit të aksidenteve në trafik për 17 për qind, krahasuar me muajin prill të vitit të kaluar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në avancimin e sigurisë publike, parandalimin e kriminalitetit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

