Policia njofton për zhdukjen e një personi në Malishevë

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë – Stacioni Policor në Malishevë, njofton opinionin publik për rastin e zhdukjes së personit Halim Ramadan Sopaj, i lindur më 11.11.1965, banues në Janqishtë – Malishevë.
Sipas raportit policor, më 05.10.2025, rreth orës 00:40, familjarët kanë njoftuar për zhdukjen e tij.
Sopaj kishte dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Në momentin e largimit, ai ishte i veshur me rroba sportive të zeza, bluzë të zezë dhe atlete (patika) të kaltra.
Që nga dita e raportimit, policia rajonale, në bashkëpunim me njësi të specializuara të PK-së, FSK-në, Drejtoria e Emergjencave të Komunës së Malishevës dhe Zjarrfikësit, ka ndërmarrë veprime të vazhdueshme operative dhe hetimore për gjetjen e tij, por deri tani nuk është arritur ta lokalizojë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim, që të ndihmojnë në gjetjen e personit të zhdukur.
Nëse dikush ka informacione që mund të ndihmojnë, kërkohet të njoftojë menjëherë: në numrin 192 (pa pagesë) ose në stacionin më të afërt policor.
Bashkëpunimi i qytetarëve është jetik për gjetjen sa më të shpejtë të Halim Ramadan Sopajt.