75 Mall Live Search
10:51 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / Valdrin Krasniqi

Policia parandalon dy raste të kontrabandimit me mallra, sekuestron tekstil, elektronikë dhe 1.5 tonë speca

Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy raste të ndara ka arritur të parandalojë kontrabandimin me mallra, falë intensifikimit të veprimeve taktike dhe operacionale përgjatë zonave kufitare.

Rasti i parë – Taskforca Lindje ndalon automjetin me mallra të kontrabanduara

Më 17 gusht 2025, Njësia e taskforcës – lindje, e përbërë nga policia dhe Dogana e Kosovës, pas trajtimit të informatave operative ka ndërhyrë në zonën kufitare ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Njësitet policore kanë arritur të ndalojnë një automjet me targa vendore, i cili dyshohej se po transportonte mallra të kontrabanduara.

Gjatë kontrollit të automjetit, pronë e një të dyshuari mashkull kosovar, janë gjetur tekstil, pajisje elektronike, veshmbathje sportive dhe bizhuteri, të cilat ishin futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë dhe nuk posedonin dokumentacion përkatës. Automjeti dhe mallrat, me vlerë mbi 2.000 euro, janë sekuestruar dhe rasti po trajtohet nga njësitet kompetente të Doganës së Kosovës.

Rasti i dytë – 1.5 ton speca të kontrabanduara ndalohen në Kamenicë

Po të njëjtën ditë, njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje (SPMK Muqivërcë), pas sigurimit të informatave operative, kanë ndërmarrë veprime taktike në fshatin Lisock të Kamenicës. Policia ka ndaluar një tentativë kontrabande nga territori i Republikës së Serbisë në drejtim të Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit të automjetit të dyshuar me targa vendore janë gjetur 1500 kg speca, për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përcjellës. Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar, ndërsa malli i konfiskuar i është dorëzuar Doganës së Kosovës.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit, veçanërisht kontrabandës, duke i ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet e dyshimta.