10:35 / E Hënë, 30 Prill 2018 / indeksADMonline

Policia: Po vazhdon kërkimi për gjetjen e dy policëve të zhdukur

Kërkimi për gjetjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Malsor Dashi dhe Armend Trena të zhdukur të shtunën mbrëma pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit, po vazhdon edhe sot.

Me fillim nga ora 09:00, Policia e Kosovës bashkë me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë nisur kërkimet e policëve të zhdukur.

“Kërkimet janë duke vazhduar edhe sot. Deri më tani nuk ka asgjë të re”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Sipas Policisë së Kosovës vetura e tyre për shkaqe ende të panjohura kishte humbur kontrollin duke dalë kështu nga rruga dhe duke përfunduar në lumin Lepenc nga një lartësi mjaft e madhe.

Për rastin në fjalë kanë reaguar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit duke ofruar ndihmën e nevojshme, duke mos munguar asnjëherë edhe ndihma e qytetarëve të shumtë të cilët edhe mbrëmë në orët e vona të natës ndezën reflektorët dhe kërkuan për orë të tëra për dy pjesëtarët e policisë.

Kërkimi për Dashin dhe Trenën ka vazhduar edhe përtej Kosovës, në Maqedoni./Indeksonline