75 Mall Live Search
11:19 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / KV

Policia rajonale e Prishtinës brenda një jave realizoi 78 urdhëresa të gjykatës

Nga zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar  78 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 43 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.

Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje dënimi, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi ata kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.

Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.

Kështu në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 15 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si edhe qindra municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Ndërkaq aktivitetet policore kanë vazhduar edhe  në sferën e sigurisë në trafikun rrugor.

Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 4457 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 646 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil.