75 Mall Live Search
10:35 / E Mërkurë, 04 Shkurt 2026 / KV

Policia Rajonale e Prishtinës prezanton bilancin vjetor, ulje e vrasjeve dhe grabitjeve

Drejtori i Policisë Rajonale të Prishtinës, Basri Shabani, ka prezantuar raportin vjetor të punës për periudhën janar-dhjetor 2025, duke paraqitur gjendjen e sigurisë dhe të dhënat kryesore për veprat penale në rajonin që përfshin kryeqytetin dhe gjashtë qytete të tjera.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2025 janë evidentuar 946 raste me vepra penale, krahasuar me 1007 raste në vitin 2024. Nga këto, 678 raste janë zbuluar, ndërsa 278 kanë mbetur të pazbuluara. Fuqia zbuluese për vitin 2025 është mbi 80 për qind, transmeton IndeksOnline.

Në kategoritë kryesore të veprave penale, është shënuar rënie e rasteve kundër jetës dhe trupit, nga 267 raste në vitin 2024 në 242 raste në vitin 2025. Po ashtu, rastet kundër lirive dhe të drejtave të njeriut kanë rënë nga 48 në 33. Një rënie e lehtë është shënuar edhe te veprat kundër integritetit seksual dhe ato kundër martesës dhe familjes.

Në anën tjetër, është vërejtur rritje e dukshme e veprave penale që lidhen me narkotikët. Rastet e kësaj natyre janë rritur nga 613 në vitin 2024 në 757 raste gjatë vitit 2025. Rritje është shënuar edhe te posedimi i paautorizuar i narkotikëve, nga 613 në 775 raste.

Sa i përket veprave kundër pasurisë, është raportuar rritje e rasteve, ndërsa vjedhjet janë rritur nga 1721 në 1813 raste. Lëndimet e rënda trupore janë rritur nga 77 në 83 raste, ndërsa lëndimet e lehta trupore nga 779 në 830 raste.

Ndërkaq, rastet e vrasjeve dhe vrasjeve të rënda kanë shënuar rënie, nga 8 raste në vitin 2024 në 6 raste në vitin 2025. Edhe grabitjet kanë pësuar ulje, nga 38 në 34 raste.

Drejtori Shabani theksoi se gjendja e rendit dhe sigurisë në rajonin e Prishtinës vlerësohet e qetë dhe stabile, ndërsa policia ka intensifikuar punën në bashkësi dhe veprimet e bazuara në analiza për parandalimin dhe zbardhjen e veprave penale.

Në fund, ai falënderoi menaxhmentin e Policisë së Kosovës, komunat e rajonit, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë./IndeksOnline/