Policia realizon 203 urdhëresa gjyqësore dhe sekuestron 8 armë zjarri në Prishtinë

Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarët policorë të rajonit të Prishtinës, gjatë javës së kaluar kanë ekzekutuar 203 urdhëresa të gjykatës në lokacione të ndryshme dhe në aksione të ndara. Sipas njoftimit zyrtar, 62 prej tyre lidhen me vepra penale, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore dhe verifikime.
Në përputhje me këto urdhëresa, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtjen e dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur detyrimet e tyre financiare.
Policia ka shtrirë aktivitetin e saj edhe në segmente të tjera të sigurisë, ku gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 8 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi e konsiderueshme municionesh.
Gjithashtu, për shkeljet në trafikun rrugor, janë shqiptuar 4,087 masa administrative, ku 658 prej tyre janë evidentuar nga vetura inteligjente dhe radarët mobil.
Policia e Kosovës vazhdon përkushtimin për të garantuar sigurinë dhe respektimin e ligjit në të gjitha sferat e jetës publike./IndeksOnline/