Policia sekuestron armë dhe granata dore, ndaj një të dyshuari ngrihet kallëzim penal për mbajtje të paautorizuar të armëve

Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren ka arritur ta identifikojë të dyshuarin B.K., i lindur në vitin 1960, i cili dyshohet se ka poseduar armë dhe granata dore pa leje. Pas marrjes së informacionit në lidhje me këtë rast, prokurori i shtetit është njoftuar dhe është siguruar një urdhër kontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren për kontrollin e shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit.
Më 2 prill 2025, gjatë realizimit të urdhrit për kontroll, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
- Një granatë dore model F1
- Një pistolete me gaz BLOW F92 9mm P.A.K.
- Një karikator me nëntë fishekë
Granata e dorës është tërhequr nga njësiti i NJTME-së i Policisë së Kosovës.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe, me aktvendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë dhe po merren masa të tjera ligjore për ndriçimin e plotë të ngjarjes./IndeksOnline/