11:14 / E Premte, 26 Prill 2019 / indeksADMonline

Policia shton masat e sigurisë për protestën kundër Lumezit, bllokohen rrugët

Një orë para nisjes së protestës së Lëvizjes Vetëvendosje kundër kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë, raporton Indeksonline.

Policë të shumtë po qëndrojnë përpallë objektit të Prokurorisë së Shtetit, ku pritet të mblidhen protestuesit.

Rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi” janë bllokuar për sa kohë do të zgjatë protesta.

‘Më 26 prill, në ora 11:55, protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit. Korrupsioni në vendin tonë është shtuar e përhapur si asnjëherë më parë. Kurrë shteti i Kosovës nuk ka qenë më i kapur sesa sot. Prokuroria e shtetit nuk po i ndjek as krimet e luftës e as krimet e paqes, as krimet ekonomike e as krimet politike’ , thuhet në njoftimin e VV-së.

VV-ja për këtë protestë ka organizuar edhe transport falas nga komuna të ndryshme të vendit./Indeksonline/