Policia: Sot arrestuam pesë persona për krim të organizuar dhe dy për grabitje
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për operacionin e sotëm ku janë bastisur 11 lokacione për krim të organizuar, detyrim-fajde. Sipas policisë, deri tani në pranga kanë përfunduar pesë persona të dyshuar derisa dy të tjerë ndodhen ende në arrati. Po ashtu Njësiti i Specializuar i PK-së ka arritur të konfiskoj prova të ndryshe në këtë rast.
Drejtori i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Rexhep Fetahu në një konferencë për media ka folur për këtë rast dhe një tjetër të ndodhur në Drenas.

Ai ka thënë se gjatë aksionit të sotëm janë konfiskuar 16 mijë euro para kesh dhe janë arrestuar pesë persona.
“Gjithashtu kemi konfiskuar edhe disa pajisje të lojërave të fatit sepse ky grup është marrë edhe me këtë veprimtari”, ka thënë Fetahu.
Policia po ashtu ka folur edhe arrestimin e dy personave në Sankovc të Drenasit për grabitje.

Ndryshe Indeksonline gjatë gjithë ditës kishte raportuar përkitazi me operacionin e sotëm i cili ka nisur në orët e hershme të mëngjesit.
Njëri ndër lokacionet e bastisura ishte edhe shtëpia e ish komandantit të UÇK-së, Sabit Geci në lagjen Pejton të Prishtinës.
Pak më parë edhe Prokuroria Speciale ka njoftuar opinionin se sipas kërkesës së kësaj prokurorie, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, janë kontrolluar 11 lokacione të ndryshme lidhur me hetimin që është duke e zhvilluar Prokuroria Speciale për veprat penale “fajdeja” nga neni 343 i KPRK-së, “detyrimi” nga neni 340 i KPRK-së, dhe “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 të KPRK-së.
Sipas Policisë të dyshuarit e arrestuar gjatë operacionit policor janë:
• D. B. lindur me 1968 m/sh/k
• Rr. B. lindur me 1995 m/sh/k
• I. S. lindur me 1988 m/sh/k
• L. B. lindur me 1978 m/sh/k
• B. G. lindur me 1981 m/sh/k
Gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar si prova materiale që dyshohet se rrjedhin nga veprat penale:
• para të gatshme 16.000,00 (gjashtëmbëdhjetë mijë euro);
• 5 (pesë) vetura
• 1 (një) motor udhëtarësh
• 10 (dhjetë) telefona celularë
• 1 (një) laptop
• 2 (dy) DVR
• 12 (dymbëdhjetë) fishekë kal. të ndryshëm
• 4 (katër) shtëpiza kompjuteri
• 4 (aparate) lojëra të fatit
• dokumente tjera të cilat mund të përdoren për vazhdim të procedurës penale.
Bazuar në urdhëresën e prokurorit, personat e dyshuar dërgohen në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme. /Indeksonline/