75 Mall Live Search
07:37 / E Hënë, 23 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Policia tregon se si u desh të thyhej dritarja për të hyrë brenda dhomës, ku u gjet i vdekur një person mbrëmë

Gjatë mbrëmjes së kaluar Indeksonline ka raportuar lidhur me një vdekje të dyshimtë, në Pejë.

Lidhur me këtë është kontaktuar edhe Policia e Kosovës për Rajonin e Pejës. Zëdhënësi i PK-së në Pejë, Xhevat Ibraj, ka konfirmuar rastin, ku shtoi se për të janë njoftuar rreth orës 20:26.

“Policia ka pranuar informacion se në rrugën ‘Agush Gjoci’ në Pejë, viktima mashkull dhqiptar ishte pa shenja jete në shtëpinë e tij. Shqetësimin e kishin shprehur familjarët e viktimës, të cilët kishin kërkuar nga policia të shkonte në vendin e ngjarjes, meqë viktima nuk ishte paraqitur përmes telefonit. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ka kontaktuar ankuesin i cili më pas në prezencën e policisë rreth orës 21:00 e ka thyer xhamin e dritares dhe pasi që kanë depërtuar në brendësi të shtëpisë aty në një dhomë në krevat kanë vërejtur të ulur personin viktimë L.R, 1978 pa shenja jete”, tha ai.

Ibraj shtoi gjithashtu se te viktima nuk janë vërejtur shenja dhune apo lëndime,  sipas ekipit mjekësor që e ka konstatuar vdekjen.

“Lidhur me rastin është informuar Prokurori i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mësuar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe me shikimin e vendit të ngjarjes do të vazhdohet edhe nesër. Trupi i pajetë i viktimës është bartur nga vendi i ngjarjes, me urdhër të Prokurorit dërgohet në Institutin Mjekësor Ligjor në Prishtinë për obduksion”, shtoi ai.

Ndryshe rasti do të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve DRP – Pejë./Indeksonline/