Policia u jep transfer zyrtarëve të saj, problem transporti

Afër 80 zyrtarë të Policisë së Kosovë, para dy javësh janë transferuar në pjesë të ndryshme të vendit, pjesëtarë këta të Njësitit të Kufirit të Gjelbër.
Por, të njëjtit po e kanë problem transportin, meqë disa nga ta jetojnë në vende larg nga zonat kufitare ku edhe janë caktuar. E për këtë ata kanë kërkuar sqarim, duke u drejtuar edhe tek MPB-ja, por që u kthyen pas.
IndeksOnline ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës, se si është bërë transferimi i këtyre policëve, por që ky institucion thotë se të gjithë veprimet bëhen konform autorizimeve ligjore që ka.
“Policia e Kosovës të gjitha veprimet policore, i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë edhe nevojën e transferimeve të brendshme, të cila bazohen në rregulloret dhe autorizimet e brendshme policore.
Referuar strukturës organizative, nevojave operacionale dhe situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, ku kërkohen angazhime dhe aktivitete shtesë nga ana e Policisë së Kosovës, përfshirë në disa raste edhe orarin 12 orësh, në vazhdimësi Policia e Kosovës ka angazhuar zyrtarët policor në detyra të ndryshme sipas planifikimeve operacionale, duke realizuar edhe transfere apo caktime të përkohëshme në detyra të caktuara”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Tutje nga Zyra për Informim e PK-së thonë se të gjitha këto planifikime dhe transerimeve janë paraqitur si rezultat i nevojës dhe rrethanave të krijuara nga situate aktuale.
“Andaj me qëllim të realizimit të detyrave dhe autorizimeve të plota, në interest ë vendit, qytetarëve dhe të shëndetit publik, Policia e Kosovës ka angazhuar personelin e saj policor”.
Aktualisht në Kosovë funksionojnë 16 pika të kalimit të kufirit dhe 12 stacione policore për mbikëqyrjen e kufirit./Indeksonline