Policia vazhdon të ofroi siguri për prokurorin pejan

Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda, njëkohësisht edhe zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, përmes rrjeteve sociale është kërcënuar si rrjedhojë e punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit.
Indeksonline ka vërejtur forca të Policisë së Kosovës, pranë shtëpisë së prokurorit pejan, ku po vazhdojnë ende të ofrojnë siguri për Qavollin dhe familjarët e tij.
Në lidhje me këtë ka pasur reagime edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku dënuan ashpër kërcënimet dhe njoftuan se po merren veprimet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kërcënuar Qavollin, raporton Indeksonline.
“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme, andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhej në reagim.
Kujtojmë se në fund të shtatorit, mbi një ton drogë u sekuestrua nga Prokuroria Themelore në Pejë, ndërsa vlera e saj ishte rreth 5 milionë euro, Ky operacion ishte ndër më të mëdhenjtë antidrogë./Indeksonline/