21:47 / E Enjte, 13 Prill 2023 / MSH

Policia vëzhgon rrugët malore që lidhen me Serbi, ndalojnë një rast të kontrabandës

Policia e Kosovës, Njësitet e Task-Forcës operative, pas pranimit të informatave nga terreni për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar, kanë ndërmarrë masa të nevojshme duke intensifikuar kontrolle në rrugët e brezit kufitar dhe rrugët dytësore të fshatrave të Vitisë.

Si rezultat i kësaj është parandaluar një rast i kontrabandës me mallra.

Njesitë policore të kësaj task force kanë kryer vëzhgimin e rrugëve malore që lidhen nga Konquli-Serbi, me fshatin Korminjan, ku rreth orës 19:30, në rrugë malore është ndaluar një traktor me rimorkio, i cili drejtohej nga personi i dyshuar, shtetas serb, me iniciale J.J, nga një fashat i Ranillugut.

Gjatë kontrollit është vërejtur se kishte pasur të ngarkuara 20 arka të birrës “Tuborg”; 50 arka të birrës “Zajqevsko” dhe 2550 zogj (shpezë) të vegjël.

Malli dyshohet të jetë kontrabanduar nga territori i Serbisë dhe ishte futur ne Republikën e Kosovës në mënyrë ilegale.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar për intervistim në Stacionin Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit.

Rasti është trajtuar nga njësitë përkatëse policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje në koordinim me prokurorinë përkatëse, Doganat e Republikës së Kosovës dhe AVUK-u.