09:18 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Policia zbardh krimin në familjen shqiptare, si e vrau nënën djali 64-vjeçar

Policia e Korçës ka zbardhur krimin në familje ndodhur dje në lagjen numër 13 të qytetit. Djali 64-vjeçar Nesim Demollari – sipas policisë, e ka qëlluar nënën e tij 85-vjeçare Nazime Demollarin, me sende të forta në kokë dhe në trup, ku për pasojë ka gjetur vdekjen. Djali ka qenë i dehur në momentin e krimit, kur ka qëlluar për vdekje nënën në banesën ku jetonin bashkë, pasi e moshuara ishte e ve. Djali ishte i alkolizuar dhe vazhdimisht e dhunonte të moshuarën.

Kunata e të ndjerës, Gjyrxhie Demollari tha dje për mediat se pak momente para krimit të tmerrshëm, ishte në shtëpinë e tyre, dhe kishte shkuar të shihte kunatën e saj nëse ishte mirë me shëndet. Në ato moment në banesë ka ardhur edhe djali, që siç dëshmon Gjyrxhie Demollari, ishte i dehur dhe filloi të bërtiste. Pasi ajo ka ikur ka ndodhur dhe krimi i rëndë.

Në një rrëfim për Report Tv, ajo tregoi: Erdha ta shikojë si është, ishte sëmurë, dhe i thash do hash? Jo nuk do ha tha – jam e sëmurë. Më tej erdhi djali na gjeti aty, dhe më tha: Hë kjo të ka thirru? Jo i thash, kam ardhur ta shoh. Dhe filloi të bërtiste, pastaj ika. Ishte i dehur tapë, ai duhet varur, pikë muhabeti”.

Edhe fqinjët dhanë dëshmi tronditëse. Thonë se Nesim Demollari, ishte i alkolizuar, dhe se gjithmonë e rrihte nënë e tij. “Dëgjonim gjithmonë zhurma, sherr mes tyre, e ka rrahur gjithmonë, pasi pinte shumë. Sot e ka mbytur”, tregonin banorë të zonës.