18:20 / E Premte, 03 Prill 2020 / indeksADMonline

Policia zbaton urdhrat, qeveria e kënaqur me respektimin e kufizimit të lëvizjes

Masat e qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe veturave private janë duke u respektuar në masë të madhe nga qytetarët, përderisa në 24 orët e fundit janë ndaluar nga policia 34 persona në të gjithë territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës nuk ka treguar se sa gjoba janë lëshuar dhe ku janë duke u mbajtur ata qytetarë të cilët nuk kanë respektuar vendimin e qeverisë për kufizimin e lëvizjes prej orës 17:00 deri në orën 6:00.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani thotë për KosovaPress se gjatë 24-orëve të fundit janë evidentuar 18 raste në të gjitha rajonet e Kosovës, ku janë ndaluar 34 persona.

Ai thotë se policia e Kosovë me njësitet e saj, ka kapacitetet të mjaftueshme për implementimin e këtij vendimi që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Policia e Kosovës bazuar me masat që kanë të bëjë me situatën e krijuar të pandemisë Covid-19, ka në implementim konform edhe urdhrit dhe gatishmërisë në veprim, dhe bazuar në kohën e kufizimit të lëvizjeve, angazhon njësite policore në mënyrë që të merren veprime në terren. Mund të them se gjatë 24-orëve të fundit janë evidentuar 18 raste në të gjitha rajonet e Kosovës, ku janë ndaluar në këto raste 34 persona, kryesisht në rajonin në të cilin janë ndaluar personat më së shumti është rajoni i Prishtinës, pastaj rajoni i Gjakovës, pasuar me rajonet e tjera”, thotë Kelani.

Ndërsa, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim kryeziu thotë për KosovaPress se janë të kënaqur nga policia dhe qytetarët për zbatimin e vendimit që ka për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Krahas kësaj, Kryeziu thotë se vendosja e këtyre masave nuk ka për qëllim sanksionimin e qytetarëve të Kosovës dhe ndalimin e tyre nëpër stacionet policore, por siç thotë, qëllimi i parë dhe i vetëm i këtyre masave është luftimi i përhapjes të mëtutjeshme të pandemisë Covdi-19.

“Ato në masë të madhe janë duke u respektuar nga qytetarët e Kosovës, me ketë veprim të tyre po tregojnë një vetëdije të lartë mbi arsyen e këtyre masave dhe rezultatet që këto masa kanë qëllim të sjellin, e ato janë padyshim parandalimi i përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë Covid-19. Në mesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka edhe prej atyre të cilët kanë shpërfillur këto masa dhe në drejtim të tyre pa dyshim që institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtyre masave kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sikurse edhe i detyron vendimi i qeverisë, por po ashtu edhe sikurse i detyron mandati i tyre profesional”, thotë Kryeziu.

Ndërsa, vendimi i qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve edhe me vetura, ishte dërguar nga presidenti në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo e fundit e cilësoi kufizimin e lëvizjes si antikushtetuese, por që i njëjti vendim do të mbetet në fuqi deri më 12 prill.