Policisë i del punë me dasma, shkak të shtënat me armë

Sezoni veror në Kosovë karakteriohet me ardhjen e mërgatës dhe organizimin e dasmave.
Këto të fundit shoqërohen edhe me të shtëna me armë zjarri, pavarësisht paralajmërimeve të policisë për të mos rrezikuar në këtë formë.
Madje, motoja “Festo me zemër e jo me armë” është një nga motot më të famshme të policisë.
Megjithatë, policëve po u del punë me përdorimin e armëve në dasma.
Në vetëm 24 orët e fundit janë evidentuar katër raste të të shtënave me armë në dasma.
Në Mazgit të Obiliqit, paraditën e djeshme u arrestua një person, nnë dyshimin që kishte shtënë me armë zjarri në aheng familjar. Atij iu konfiskua një revolë me gas, teksa në vendngjarje u gjet dhe konfiskua një gëzhojë.
I dyshuari u lirua pas intervistimit.
Një tjetër rast i njëjtë u evidentua në Ferizaj.
Rreth orës 16:50, në rrugën “Epopeja e Jezercit” u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, e që zënin vend pikërisht në një aheng familjar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në aheng familjar ka shtënë në ajër disa herë me pistoletë. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me gas me dy copë fishekë” thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe ky i dyshuar u lirua.
Një pistoletë dhe tri gëzhoja u konfiskuan në Maxhunaj të Vushtrrisë, gjithashtu.
Atje, një person gjuajti me armë në dasëm, rreth orës 12:36.
Pak më larg, në Mitrovicë, u arrestua një tjetër person për të shtëna me armë në dasëm dhe nga i cili policia konfiskoi njl revole me një karikator e me 7 copë fishekë.
Rasti ndodhi në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, rreth orës 19:16.