75 Mall Live Search
20:05 / E Shtunë, 11 Tetor 2025 / BA

“Politico”: Pritet kaos në hyrjet e BE-së me sistemin e ri të hyrje-daljeve

Pasagjerët që mbërrijnë në BE nga vendet e treta të dielën duhet të përgatiten për pritje të gjata, pasi hyn në fuqi sistemi i ri i regjistrimit të automatizuar të hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES).

“Linjat ajrore që operojnë në qendrat e mëdha operojnë me orare të ngjeshura, ndaj edhe disa minuta vonesë në kontrollin kufitar mund të prishin lidhjet e fluturimeve”, tha Montserrat Barriga, drejtoreshë e përgjithshme e shoqatës lobuese “European Regions Airline Association”, raporton “Politico”.

Sistemi do të zbatohet gradualisht gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, që do të thotë se jo të gjitha pikat kufitare do ta përdorin menjëherë.

Shtetasit jo të BE-së do të duhet të ndalojnë më gjatë para zyrtarit të kontrollit të pasaportave ose të përdorin kioskat vetë-shërbyese në aeroporte, porte dhe terminale hekurudhore ndërkombëtare për të dhënë shenjat e gishtave dhe për t’u fotografuar. Në kalimet e brendshme të kufijve të zonës Schengen, udhëtarët nuk do të kenë nevojë të regjistrohen sërish, pasi të dhënat e tyre do të përdoren për të shënuar hyrjet dhe daljet në mënyrë digjitale.

Të dhënat biometrike do të ruhen në sistemin EES për tre vjet, afat që zgjatet në pesë vjet nëse nuk është regjistruar dalje.

Sistemi po zbatohet në të gjitha vendet e zonës Schengen – vendet e BE-së si dhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – ndërsa Irlanda dhe Qiproja nuk përfshihen.

EES do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave, i cili nuk lejon zbulimin automatik të personave që kanë tejkaluar qëndrimin e autorizuar prej 90 ditësh brenda 180 ditëve.

“Sistemi i Hyrje-Daljeve është shtylla digjitale e kornizës sonë të re të përbashkët evropiane për migracionin dhe azilin”, deklaroi komisioneri për Punë të Brendshme dhe Migracion, Magnus Brunner.

Në gjashtë muajt e parë, të dy sistemet do të funksionojnë paralelisht, që do të thotë se udhëtarët mund të duhet të kalojnë si përmes kontrollit të pasaportave, ashtu edhe përmes procedurës EES. Ai do të bëhet plotësisht funksional më 10 prill, kur do të zëvendësojë plotësisht vulat manuale të pasaportave.

Kjo ka shkaktuar shqetësim te autoritetet kombëtare për mundësinë e kaosit.

Parisi po përgatitet për më shumë probleme se vendet e tjera të BE-së, pasi Franca është destinacioni turistik më i vizituar në botë, me mbi 100 milionë vizitorë në vitin 2024.

BE-ja ka njoftuar se EES mund të pezullohet përkohësisht gjatë gjashtë muajve të parë të zbatimit nëse koha e pritjes bëhet shumë e gjatë ose paraqiten probleme teknike.

Sipas “The Independent”, vetëm tre vende – Estonia, Luksemburgu dhe Republika Çeke – do ta kenë sistemin EES në funksion për të gjitha hyrjet dhe daljet që nga e diela.

Gjermania ka njoftuar se vetëm aeroporti i Dyseldorfit do ta zbatojë EES-in nga e diela, ndërsa aeroportet e Mynihut dhe Frankfurtit do ta zbatojnë më vonë. Në Itali, aeroportet e Romës (Fiumicino) dhe Milanos (Malpensa) do ta përdorin sistemin që nga e hëna. Holanda do ta zbatojë në aeroportin e Roterdamit më 27 tetor dhe në Amsterdam Schiphol më 3 nëntor.

Spanja do ta përdorë sistemin fillimisht vetëm për një fluturim drejt Madridit të dielën, për ta shtrirë gradualisht më pas.

Franca do të punësojë 230 roje kufitare shtesë në 120 pikat e hyrjes në zonën Schengen për të përballuar ngarkesën shtesë ndërsa sistemi zbatohet gradualisht.

Disa aeroporte kanë zbuluar detaje për kapacitetet e tyre. Aeroporti i Brukselit, për shembull, ka njoftuar se ka 61 kioska vetë-shërbyese për regjistrim në EES.