21:59 / E Diele, 26 Maj 2019 / indeksADMonline

‘Politika e BE-së nuk mund të fshihet më nga frika e së djathtës ekstreme për Kosovën’

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se Bashkimi Evropian, pas zgjedhjeve të sotme për Parlamentin Evropian, duhet të dalë me oferta serioze të zgjerimit për shtetet e rajonit tonë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se pas votimeve të sotme për PE, politika e BE-së ndaj Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund më të fshihet pas frikës nga e djathta ekstreme, e cila pësoi debakël.

“Tash që, pak a shumë, po shihet trendi i votave për Parlamentin Evropian, mund të konkludohet që politika e BE-së, apo mungesa e saj, ndaj Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund më të fshihet pas frikës nga e djathta ekstreme, e cila pësoi debakël.  Përkundrazi, me rezultatet e shkëlqyeshme të gjelbërve dhe liberalëve e demokratëve, politika e zgjerimit duhet të konkretizohet dhe afatizohet.

BE duhet të jep ofertë serioze të zgjerimit për shtetet e rajonit tonë. E kjo ofertë duhet të përmbajë edhe kushte rigoroze për çdo shtet të Ballkanit Perëndimor: qeverisje demokratike e media të lira, çkapje të shtetit dhe sundim të ligjit, luftë të njëmendtë të korrupsionit, drejtësi e barazi, si dhe zhvillim të mirëfilltë ekonomik”, shkruan Deda.