15:40 / E Shtunë, 17 Prill 2021 / OSH

Politika e jashtme si refleksion i politikës së brendshme, apo politika e jashtme si mjet për politikën e brendshme

Shkruan, Gani Dreshaj

Së pari, në cilësinë e një ish-zëvendësministri të Punëve të Jashtme, dëshiroj ta uroj sinqerisht dhe t’i dëshiroj suksese në detyrë Ministres së tashme Donika Gërvalla dhe stafit të saj. Vendi ynë duhet të mësohet me kalim të rregullt të pushtetit nga një parti në tjetrën, në përputhje me vullnetin e shprehur përmes votës së qytetarëve, dhe tashmë mund të themi se jemi bërë nxënësi shembullor në Ballkan për një akt të tillë, tejet të rëndësishëm për çdo demokraci.

Këto fjalë të demokracisë shembullore munguan në Këshillin e Sigurimit nga përfaqësuesja jonë. Në vend të saj u tha se Kosova “u çlirua nga krimi e korrupsioni”.

Sa për kujtim, përfaqësuesi amerikan në të njëjtën mbledhje tha që zgjedhjet reflektojnë “vullnetin e popullit për reforma, reforma për ta përforcuar paqen, drejtësinë dhe prosperitetin në vend” si dhe ai foli për reformat “për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë, luftën kundër korrupsionit, krijimin e zhvillimit ekonomik”. D.m.th. kur përfaqësuesi zyrtar amerikan fliste për “rritje” të llogaridhënies e të luftës kundër korrupsionit, përfaqësuesja jonë veç e kishte ndarë mendjen se Kosova “u çlirua” nga krimi e korrupsioni. Po gjysma e elektoratit kosovar sipas saj po preferonte pushtimin nga krimi e korrupsioni?

Si duket ministrja ka harruar që nuk është në kampanjë zgjedhore, dhe nuk shërbehej as me eufemizma e as me nuanca, por në fakt as me të vërtetën.

Sepse në të vërtetë nuk është e qartë se kush ishin kriminelët: një pjesë apo tërë anëtarët e LDK-së e cila e udhëhiqte qeverinë deri në transferin e pushtetit, një parti ku vet znj. Gërvalla ishte anëtare deri së voni? Kur u kriminalizua ish-partia e saj, në momentin që ajo e la partinë? Sa qëndroi ajo në partinë kriminele dhe pse nuk i denoncoi në prokurori “krimet” e LDK-së? Apo ajo e kishte fjalën për AAK-në, ish-anëtarë të së cilës kanë poste të larta në institucione fal Vetëvendosjes? Apo për partinë që veç ishte në opozitë që nga 2019, PDK-në? Për pjesëtarët aktualë të PDK-së, por jo për ata që ishin në PDK e që tash janë në Vetëvendosje? Apo për partitë minoritare, votat e të cilëve e mundësuan zgjedhjen e Presidentes Osmani? E çfarë thoshte ajo për pjesëtarët e dënuar apo nën akuza që shërbejnë sot në Qeveri apo që janë në Kuvend?

Natyrisht, do të ishte e vështirë t’i precizonte këto znj.Gërvalla sepse po ajo po bëhej prokurore e gjykatëse njëkohësisht, dhe me terma populist ajo po e përligjte një narrativë që është përdorë sa herë që është sulmuar Kosova nga kundërshtarët tanë. Fjalët kanë peshë. Fjalori është i rëndësishëm. Një diplomate do të duhej ta kishte parasysh tërë këtë dhe më shumë në forumin më të lartë botëror të diplomacisë.

Kosova vërtet duhet ta vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kjo nuk don mend. Dhe në këtë luftë duhet të jenë bashkë qeveria dhe opozita, bashkë me shoqërinë civile dhe të gjithë hisedarët e tjerë. Një tjetër luftë ku duhet të jemi bashkë është ajo e politikës së jashtme. Dhe ajo politikë duhet të ndërtohet jo mbi vija partiake, por mbi interesa të vendit. Natyrisht, do të mbesin dallime e nuanca si ndërmjet partive, ashtu edhe brenda partive. Kjo është e shëndetshme dhe e domosdoshme për një debat substancial, i cili e ndihmon shtetin tonë.

Politika e jashtme duhet të jetë refleksion i politikës së brendshme në kuptimin e interesave, pozicioneve, aksioneve , kapaciteteve tona, e jo si mjet për politikë e brendshme. Nuk duhet zhvillohet diplomaci për të marrë “like” në facebook. E madje as vota. Diplomacia, mbrojtja, siguria e disa të tjera, janë fusha ku kërkohet disiplinë, fokus në detyrë dhe tejkalim i ndarjeve partiake. Në të kundërtën i shkaktohet dëm tejet i madh Kosovës.

Të gjithë duhet të jemi bashkë për t’i përkrahur diplomatët tanë, për t’i avancuar ata dhe ndihmuar në punë e tyre, e jo t’ua vështirësojmë punën me populizma. Ruajtja e sovranititetit dhe integritetit territorial si dhe e funksionimit të brendshëm, si dhe progresi ynë në rrugën evro-atlantike duhet të jenë sine qua non e politikës sonë të jashtme. Aty duhet të jemi të gjithë bashkë, me fjalë e me vepra.