13:35 / E Premte, 10 Maj 2024 / L K

Mbi autizmin dhe relacionin prindër-fëmijë

Shkruan: Mimozë Krasniqi Balidemaj

Zhvillimet shoqërore në nivel global padyshim që, ku më shumë e ku më pak, po zënë vend edhe në botën shqiptare. Trende të reja të zhvillimit e të jetesës natyrshëm kanë impaktet e veta dhe se familja, sikurse edhe shoqëria shqiptare në tërësi, nuk mund të jenë imune ndaj këtyre ndryshimeve.

Kur them kështu kam parasysh pikë së pari raportet midis prindit dhe fëmijës, të cilat, konsideroj, tashmë kanë hyrë në një tjetër dimension krahasuar me pak vite më parë.

Po flas për fëmijë pa ndonjë nevojë të veçantë në zhvillimin e tij. Sepse, kur kthehemi në jetën tonë dhe rritjen e fëmijëve me autizëm, konsideroj që kjo mbikëqyrjen dhe ky raport merr tjetër përmasë dhe tjetër kuptim.

Në kontekst të angazhimit të përditshëm unë nuk shpik asgjë të re kur përshkruaj angazhimet, sfidat e vështirësitë, të ditës e të natës, në çdo orë e në çdo minutë të tyre.

Ky kujdes dhe kjo mbikëqyrje kërkon vëmendje dhe angazhim konstant, që fillon me ushqimin si nevojë bazike e jetesës, vazhdon me kujdesin trupor, sjelljen dhe socializimin familjar, për të vijuar me atë shoqëror jashtë ambienteve të shtëpisë, deri te shkollimi.

Në të gjitha këto segmente, me rritjen e fëmijës ne përballemi me vështirësi të reja, gati të panjohura për ne dhe përpiqemi të gjejmë metoda për eliminimin e tyre, pa shkaktuar ndonjë tronditje në raport me fëmijën dhe procesin e rritjes e të zhvillimit të tij.

Po e zëmë fillimi i shkollës shënon një moment të ri dhe pikë kthese, jo vetëm për fëmijën, por edhe për prindin. Ky moment detyrimisht implikon një spektër më të gjerë shërbimesh që duhet të ofrohen nga akterë të tjerë, të specializuar, për të cilat shërbime dhe kualitetin e tyre ne mund të debatojmë gjatë.

Këtu ne mund të shtrojnë pyetjen nëse shoqëria jonë ka arritur të ndërtojë kapacitete të mjaftueshme dhe shërbime të nevojshme për zhvillimin e fëmijëve autikë, në radhë të parë në procesin edukativo-arsimor. Ngase këtu përballemi me një moment serioz, që konsideroj i jep një kuptim të ri angazhimit tonë si prindër në raport me fëmijën.

Sot ne përballemi me mungesë të theksuar të mësuesve mbështetës dhe në shumë raste jemi të detyruar që këtë mungesë ta kompensojmë ne si prindër, me angazhimin tonë, që padyshim nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe në shumë raste më tepër shkakton probleme se sa që i zgjidhë ato paraprake.

Konsideroj që ka nevojë dhe mundësitë ekzistojnë, për sforcim të angazhimeve institucionale për të konsoliduar më tej shërbimet e tilla, duke u mundësuar të gjithë fëmijëve, në varësi të nevojave e specifikave të tyre, të drejtën për shkollim dhe duke u lehtësuar prindërve barrën, edhe ashtu të rëndë që bartin mbi supe.

Krahas shkollimit, trajtimi me terapi mbetet domosdoshmëri. Autizmi prek fëmijë në çdo cep të gjeografisë shqiptare, prandaj shërbimi terapeutik në afërsi është i domosdoshëm. Për shkak të vështirësive ekonomike shumë familje e kanë të pamundur të shfrytëzojnë shërbime të tilla, andaj edhe këtu konsideroj që duhet të shtrihet dora e institucioneve të shteteve tona.

Krijimi i qendrave specifike të trajtimit të personave të spektrit të autizmit është imperativ dhe kërkon një mobilizim dhe angazhim intensiv. Për të arritur deri këtu nevojitet një fushatë edhe më e madhe vetëdijesuese dhe sensibilizim i përgjithshëm shoqëror e institucional.

Nuk është e panjohur edhe një dukuri që fatkeqësisht prek një numër shkollash e kopshtesh, e që ka të bëjë me diskriminimin e fëmijëve autikë. Nga mediat jemi njohur me të tilla raste e druaj që ky numër është më i madh, prandaj theksoj rëndësinë që rastet e tilla të denoncohen publikisht nga prindërit, ngase jehona e denoncimeve të tilla do të shërbente pikërisht në sensibilizimin e shoqërisë.

Nëse kthehemi edhe njëherë te shërbimet e nevojshme për zhvillimin e fëmijëve të spektrit të autizmit, konsideroj se ndjekja e terapisë dhe e procesit mësimor nga ana e fëmijës autik, shtron edhe nevojën e ndërtimit të një relacioni të mirëfilltë prind – terapist – mësues. Mendoj se bashkëpunimi i mirëfilltë i këtij trekëndëshi është parakusht për arritjen e rezultateve të kënaqshme në zhvillimin e fëmijës.

Terapistët mund ta udhëheqin më mirë zhvillimin e një fëmije nëse ata bashkëpunojnë me prindërit në planin e trajtimit, përderisa këta të fundit janë të obliguar të zbatojnë në shtëpi pjesën e tyre të angazhimit sipas kërkesës së planit.
Meqenëse prindërit janë mësuesit e parë të fëmijës së tyre, ndikimi i tyre tek ta, sidomos në pjesën e motivimit, është thelbësor. Prandaj një prind i vëmendshëm dhe i angazhuar maksimalisht, do të jetë ndihmesë e madhe për terapistin për të arritur rezultate më të shpejta në synimin e përbashkët – zhvillimin e fëmijës.

Në të kundërtën, kur bashkëpunimi prind-terapist nuk është në nivelin e duhur, puna e terapistit vështirësohet, duke u mbështetur vetëm në të dhënat e mbledhura gjatë një seance individuale, që në rastin më të mirë paraqet rezultate nën mesatare, dhe padyshim humbje kohe, energjie dhe parash, pa arritur qëllimet e synuara.

Për ecurinë e fëmijës po kaq rëndësi ka edhe raporti i prindit me te, raporti i prindërve midis tyre dhe sigurimi i një ambienti të ngrohtë familjar. Çdo fëmijë, dhe sidomos fëmija autik, ka nevojë për kujdesin dhe punën e të dy prindërve, në mënyrë që ai të rritet dhe të përballet me vështirësitë e veta.