12:36 / E Mërkurë, 08 Maj 2024 / LB

Nuk ka stabilitet afatgjatë pa demokraci

Shkruan: Donik Sallova

(Cila është logjika politike që arsyeton privimin e Kosovës në rrugën e saj për forcimin e demokracisë duke ia penguar të drejtën për anëtarësim në Këshillin e Europës?)

– Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, vullnet i popullt të vet dhe i sakrificës së brezave të tërë. Kur e kemi shpallur pavarësinë nga Serbia, kemi vendosur t’i ndajmë rrugët një herë e përgjithmonë me këtë shtet që na mbajti gati 100 vite nën pushtim e shtypje. Me Serbinë u diferencuam edhe duke vendosur të ndërtojmë një shtet krejt të ndryshëm nga shteti i cili u shkëputëm. Për dallim prej Serbisë që na shtypi, na diskriminoi e na trajtoi si qytetarë të dorës së dytë, Kosovën e ndërtuam si një shtet multietnik, të lirë, demokratik e të barabartë për të gjithë shtetasit e vet. Për Kosovën luftuan shqiptarët, por shtetin e ndërtuam për të gjithë. Pranuam Pakon e Atisaarit e cila gravoi në strukturën institucionale të shtetit të Kosovës çdo mundësi, çdo instrument dhe çdo garanci veçanërisht për serbët e Kosovës. Serbët i bëmë hisedarë të shtetit të Kosovës, por nuk duhet harruar që pavarësinë e deklaruam  nga Serbia.

– Kushdo që kërkon që Serbia të krijojë instrumente institucionale përmes të cilëve të mbajë nën kontroll politik serbët e Kosovës dhe territoret ku ata banojnë, kjo do të nënkuptonte prekje të pavarësisë së Kosovës. Kushdo që kërkon që rruga e Kosovës drejt objektivave të saj integruese në instancat ndërkombëtare duhet të lidhet me aspiratën e Serbisë për të minuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës, do të thotë të prekësh pavarësinë e Kosovës.

– Është e drejtë të kërkohet ndërtimi i raporteve të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, por nuk është Kosova që ka refuzuar ndërtimin e fqinjësisë se mirë me Serbinë. Është Serbia që nuk pranon parimin themelor të çdo raporti, që është “njohja faktike” e palës me të cilën do ndërtohen e normalizohen raportet.

– Marrëveshja e Brukselit, thelbi i së cilës është njohja de facto e shtetësisë së Kosovës, refuzohet të pranohet dhe zbatohet nga Serbia. Këtë qëndrim refuzues e mosnjohes ndaj pavarësisë së Kosovës Serbia mund ta mbajë përjetësisht. A do të thotë kjo që e drejta sovrane e Kosovës për të qenë pjesë e bashkësisë ndërkombëtare do të privohet nga ky qëndrim hegjemonist i Serbisë? Atëherë pse e shpalli Kosova pavarësinë nëse e drejta e saj për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare do të varet nëse Serbia pajtohet ose jo për këtë?

 – Pranimi i këtij kushti do të ishte një qëndrim i ri prapakthyes i vetë atyre shteteve mike që na kanë njohur. Ata na kanë njohur si shtet sovran apo jo? Pranimi i këtij kushti që Serbia të determinojë të drejtën e Kosovës për t’ju bashkuar bashkësisë së shteteve sovrane, do ta prekte pavarësinë e Kosovës.

– Negociatori eminent i OKB-së, Marti Ahtisaari, kur rekomandoi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje për statusin politik, këtë e bëri duke arsyetuar se “gjendja s’mund të kthehet para vitit 1999”. A mos negociatorët e rinj në pikëpamjen e tyre po besojnë se në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “gjendja mund të kthehet para vitit 2008”, pra e drejta e Kosovës për të realizuar aspiratat e veta sovrane për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare mund të kushtëzohet nga realizimi i aspiratave të Serbisë brenda Kosovës?! Kjo do ta prekte pavarësinë e Kosovës.

– Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës me realizimin e kërkesës së Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në një kontekst kur Serbia ka refuzuar zbatimin e thelbit të Marrëveshjes së Brukselit që është njohja faktike e realitetit të pavarësisë së Kosovës si kriter përkufizues i dy subjekteve të ndara që duhet t’i normalizojnë raportet si fqinj dhe si aspirantë drejt BE, do të thotë inkurajim për Serbinë që të vazhdojë mosnjohjen.

– Pse ta njohë Serbia Kosovën kur paska mundësi ta pengojë avancimin e sovranizimit të saj ndërkombëtar? Shkurpamësit do të thonë po duhet ta themeloni Asociacioni që t’ju mundësohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare? Por, çfarë do t’i duhej Kosovës sovranizimi i jashtëm nëse e humbë sovranitetin e brendshëm? A nuk është Bosnja anëtare e OKB-së, me Republikën Srpska krejtësisht nën kontroll të Serbisë dhe Rusisë?

– Nuk ka asnjë argument që mund të kundërshtojë faktin që pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar Ballkanin, sikurse është argument i pacënueshëm fakti se nuk ka stabilitet afatgjatë pa demokraci. Është dëshmuar se stabilitetet artificiale dhe të mbështetura vetëm në forcë bien sapo rrethanat e tilla të ndryshojnë. Europa u bashkua dhe u bë kjo që është sot sepse triumfoi demokracia.

– Cila është logjika politike që arsyeton privimin e Kosovës në rrugën e saj për forcimin e demokracisë duke ia penguar të drejtën për anëtarësim në Këshillin e Europës? Çfarë stabiliteti po kërkon të ndërtojë Perëndimi në rajonin tonë? Stabilitet të mbështetur në demokraci, apo stabilitet të mbështetur në fuqinë e arsenalit e armëve ruse e kineze të Serbisë…