11:04 / E Diele, 25 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Politikanët kosovar nuk dorëhiqen pas dështimeve, u mungon etika dhe llogaridhënia

Mos anëtarësimi i Kosovës në organizatën më të madhe ndërkombëtare të policisë, Interpol po konsiderohet si dështim i diplomacisë kosovare.

Kurse, pas dhënies së lajmit për mos anëtarësim, figura të ndryshme publike kërkuan llogaridhënie nga persona të caktuar në pushtet, madje edhe dorëheqje.

Analistit politik, Donik Sallova tha për “Indeksonline” se politikanëve tanë ju mungon etika dhe llogaridhënia si themel i politikës demokratike.

“Sepse pushteti politik dhe posti publik në Kosovë konsiderohet një vend pune nga i cili personi synon të përfitoje maksimalisht personalisht. Pra shërbimi publik dhe veprimtaria politike nuk është e motivuar nga parime dhe ideale kombëtare që synojnë të mirën publike, por si mekanizëm pushteti për përfitime vetjake. Duke qenë kështu, politikaneve tanë iu mungon etika dhe llogaridhënia si themeli i politikes demokratike” ka thënë Sallova. Sipas tij, politikanët kosovar legjitimohen formalisht në një proces zgjedhor nga votues që pa pasur vetëdije dhe kulturë demokratike.

“Politikanet tanë janë thjeshte ca despote qe legjitimohen formalisht në një proces zgjedhor me një mase votuesish pa vetëdije dhe kulture politike demokratike, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre është edhe mase klienteliste e cila i voton këta politikan mbi baza te favoreve të premtuara ndaj lokaliteteve te caktuara e rajoneve prej nga vijnë politikanet” është shprehur Sallova.

Si rrjedhojë e kësaj gjendje, Sallova konsideron se politikanët kosovar, nuk ndjejnë përgjithësi morale dhe publike për dështimet e tyre, të cilat as populli nuk i ka ndëshkuar asnjëherë. “…politikanet duke e ditur si kanë ardhur në pushtet, pra jo si pasojë e vlerave që përfaqesojnë, por përmes premtimeve favorizuese dhe klienteliste, ata nuk ndjejnë përgjegjësi morale dhe publike për dështimet, sepse për këto dështime populli nuk i ka ndëshkuar ndonjëherë” u shpreh analisti Sallova.

Se politikanët kosovar nuk marrin përgjithësi për dështimet e tyre është shprehur edhe analisti Imer Mushkolaj. Sipas tij, një gjë e tillë nuk ekziston si opsion te politikanët kosovar.

“Dorëheqja e politikanëve, si marrje përgjegjësie për dështimet, nuk ekziston në Kosovë. Shumica e këtyre njerëzve gjenden në ato pozita jo se e kanë merituar, por se e kanë arritur këtë si rezultat i kombinatorikave të ndryshme opolitike dhe në forma të tjera jo të zakonshme” u shpreh Mushkolaj për “Indeksonline”.

E pazaret në ndarjen e posteve, e jo fitimi i postit duke marr besimin e qytetarëve, po konsiderohet si njëri nga problemet kryesore sipas Mushkolajt. Ky i fundit ka theksuar se kjo gjendje ndikon që politikanët kosovar edhe në rast të dështimeve të mos ndjenjë përgjegjësi. “Shumë mbajnë poste politike e publike si rezultat i pazareve të ndryshme, shpesh edhe të ndyta, e jo si rezultat i besimit të qytetarëve. Për këtë arsye ata nuk ndjejnë se kanë përgjegjësi ndaj qytetarëve, pavarësisht se paguhen majmë nga paratë e tyre.” u shpreh ai.

Kurse, të gjithë këtë gjendje e forcon më shumë edhe mos reagimi i qytetarëve, të cilët sipas Mushkolajt po përballen me izolim dhe mjerim. “Kësaj i kontribuon edhe mosreagimi i qytetarëve të cilët, të përballur me izolim e mjerim, duket se e kanë humbur dellin e protestës e të reagimit” u shpreh ai. Ndryshe, përmes një komunikate për media, llogaridhënie ka kërkuar edhe Partia Socialdemokrate.

Ata kanë kërkuar llogaridhënie nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol./Indeksonline/