75 Mall Live Search
20:52 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / S Z

Politikani serb Aleksandar Arsenijeviq vozitë veturën e “terroristit të Banjskës”

Tash e tre ditë politikani serb i veriut të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviç nuk është dorëzuar tek organet e drejtësisë.

Në një pronë të tij, u gjet një arsenal armësh.Institucionet e sigurisë së Kosovës, kanë dyshime të bazuara se Arsenijeviç ka lidhje me grupe kriminale serbe.

Në pistën e hetimeve, është edhe pronësia e veturës të cilën prej disa kohësh e ka në posedim Arsenijeviç.

Tëvë1 ka siguruar dokumentin e regjistrimit të kësaj veture të tipit “Passat”.

Aty shihet se pronar i veturës është i akuzuari për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Nemanja Radivojeviq, me nofkën “Gandi”.

Me këtë veturë, Arsenijeviq është ndaluar shumë herë nga Policia e Kosovës.

Madje, Tevë1 ka siguruar edhe një gjobë e cila i ishte shqiptuar Arsenijeviqit për mungesë te patent shoferit, duke e vozitur veturën e Radivojeviqit, i cili prej 24 shtatorit 2023, eshtë i pakapshëm për organet e rendit.

Per këtë çështje, Tëvë1 ia ka dërguar disa pyetje Arsenijeviqit.

I njëjti, i ka dërguar disa përgjigje, të cilat më pas i ka fshirë, duke e konsideruar raportimin si “gazetari joprofesionale”

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i pyetur nga Tevël për këtë rast, ka thënë se i njejti sipas dëshmive, dyshohet se ka lidhje me grupe kriminale.

“Është pjesë e hetimeve gjithëpërfshirëse. Është e qartë se janë grupe të ndryshme të cilat janë herë janë marrë me krim e herë me terrorizëm. Ky ka tentuar të krijojë një imazh të një opozitari. Realisht faktet tregojnë që është i përfshirë në aktivitete kriminale terroriste dhe duhet sa më parë të përgjigjet para ligjit, duke u dorëzuar. Nuk e kam fjalën vetëm për këtë, por edhe më gjerë. Ai është i dyshuar”, ka thënë Sveçla

E zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se Aleksandar Arsenijeviq duhet të dorëzohet sa më parë për të dëshmuar për veprën penale me te cilën ngarkohet aktualisht.