23:51 / E Hënë, 20 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Politikani serb thotë se Serbia e ka humbur Kosovën qysh moti

Udhëheqësi i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë në Serbi, Sasha Jankoviq, gjatë ditës së sotme ka thënë se lëvizja e tij nuk do të merr pjesë në dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën. Kjo për arsye se është vetëm një farsë.

Sipas tij, dialogu ka për qëllim të marrë vendim, të cilin presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, veçse e ka pranuar në bisedimet me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, shkruan Tanjug.

Jankoviq thotë se Serbia e ka humbur Kosovën qysh në vitet e ’90-ta dhe tani duhet përqendruar në realizimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ai ka shtuar se duhet zgjidhur edhe çështjet e të drejtave pronësore.

Sa i përket cështjes së manastireve të Graçanicës dhe të Deçanit, të cilët janë renditur si trashëgimi e Kosovës, Jankoviq thotë se “është në dorën e Serbisë që të dëshmojë të kundërtën”.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Nënkryetari i Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe, Marko Gjuriq, i cili thotë se këto janë deklarata “skandaloze dhe të turpshme” dhe se Jankoviq, sipas Gjuriqit, nga sot është “lobues i Shqipërisë së Madhe”.

“Ideja që Deçani dhe Graçanica t’i lihen në dorë Prishtinës, dhe se ne duhet të dëshmojmë se janë tanët, dhe kjo del nga goja e një politikani në Beograd, ish-mbrojtës i qytetarëve dhe kandidat për president të Serbisë, është një skandal i pashembullt i përmasave të paimagjinueshme”, është shprehur Gjuriq.