07:58 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / C E

Politikani shqiptar në Mal të Zi tregon arsyen që çoi në dëbimin e ambasadorit serb

Me akuzën për ndërhyrje në punët e brendshme, Qeveria në ikje e Malit të Zi ka dëbuar nga vendi ambasadorin serb. E irrituar, Serbia ka reaguar me masë reciproke, duke i dhënë 72 orë kohë për t’u larguar ambasadorit malazias, në Beograd.

Këto janë episode, të cilat reflektojnë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve të Ballkanit. Politikani shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka, duke folur në Euronews Albania theksoi se Podgorica zyrtare ka qenë e detyruar të ndërmerrte një akt të tillë pasi ambasadori serb kishte vepruar jashtë kompetencave diplomatike.

“Kjo është një masë, e cila i është imponuar Malit të Zi, pasi ambasadori serb, i cili ishte në detyrë në Podgoricë, i ka kryer të gjitha rolet, por vetëm rolin e ambasadorit nuk e ka patur. Është përfshirë në disa çështje të brendshme të Malit të Zi sa i takon zhgënjeve të fundit. Mali i Zi ka qenë i detyruar të merrte një masë të tillë”, tha ai.

Ai tha se marrëdhëniet midis dy shteteve janë të acaruara dhe kjo e ka burimin te ndërhyrjet serbe në procesin zgjedhor. Politikani shqiptar u shpreh gjithashtu se Serbia ka ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi dhe këtë e ka bërë përmes kishës ortodokse në Podgoricë.

“Raportet nuk janë në nivel të kënaqshëm, por mund të them se janë goxha të acaruara se shteti i Serbisë me të vërtetë në këto zgjedhjet e fundit, përmes kishës ortodokse ka pasur influencë në të gjitha rrjedhojat parazgjedhore, dhe pos zgjedhore dhe duke u përzier në mënyrë direkte në punët e brendshme. Politika malazeze ka qenë e detyruar për një hap të tillë. Mbase janë disa masa të vonuara sa i përket politikës së Malit të Zi”, theksoi ai.