22:34 / E Mërkurë, 27 Tetor 2021 / AR

Politikania boshnjake: SHBA e përkrahu marrëveshjen për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi

Politikania boshnjake, Sabina Çudiq, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur pajtim. Siç thotë ajo, kishin edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje për shkëmbim territoresh.

Kështu u shpreh ajo përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Të mërkurën, teksa ka shprehur kundërshtimet e saj për një plan të Matthew Palmerit, tash person përgjegjës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbikëqyrur programin e reformës zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë, Çudiq ka thënë se ish-i dërguari për Ballkanin Perëndimor ka qenë pro shkëmbimit të territoreve si zgjidhje të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje ka thënë se ai mund të jetë edhe autor i planit.

Ajo tha se, ishte takuar dhe përplasur me Palmerin në Washington në prill të vitit 2019, pas një paneli ku ka qenë bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, atëherë pjesë e ekipit negociator të Kosovës.

“Biseda jonë u bë e pakëndshme kur e pyeta direkt se a është në dijeni për ndikimet e përkrahjes së tij (potencialisht autorësisë) për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Po atë ditë, një zyrtar i Ambasadës së Serbisë në Washington, duke menduar se dija më shumë atëkohë, më tha se një marrëveshje është arritur dhe se po kërkohej një moment adekuat e i përshtatshëm që administrata Trump ta paraqiste marrëveshjen si historike”, ka shkruar ajo në hyrje të shkrimit të saj.

Tutje, Çudiq ka thënë se në mbrëmje në takim me Palmerin kishte ardhur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA atëkohë, Vlora Çitaku. Madje, sipas boshnjakes, ish-ambasadorja e Kosovës i ka dalë në mbrojtje Palmerit duke më pyetur se “përse po ndërhyja në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë?”

“Iu përgjigja se ndikimet katastrofike për Bosnjë-Hercegovinën ishin të pashmangshme, por edhe për tërë Ballkanin. Ditën e nesërme, Çitaku dhe unë ishte paraparë të kishim një takim të përbashkët e të mbyllur në Këshillin Kombëtar të Sigurisë amerikane. Agjenda ndryshoi në minutën e fundit – u informova se do të më duhej të largohesha pas adresimit tim, para se të niste diskutimi për Kosovën. Fola për kërcënimet e sigurisë lidhur me vazhdimin e politikës së zbutjes së forcave destruktive të djathta në BeH”, ka thënë ajo.