75 Mall Live Search
14:36 / E Mërkurë, 07 Tetor 2020 / indeksADMonline

Polonia gjobit “Gazpromin” me 7.6 miliardë dollarë

Autoriteti polak i antimonopolit, Zyra e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (UOKiK) njoftoi sot gjobën prej mbi 29 miliardë zlotësh polakë (7.6 miliardë dollarë) të vendosur ndaj “Gazpromit” për mungesën e miratimit të një transaksioni për tubacionin “Rrjedha e veriut 2” raporton AA-ja.

Autoriteti, gjithashtu gjobiti 5 kompani të tjera me mbi 234 milionë zlotë (61.4 milionë dollarë) të cilët morën pjesë në ndërtimin e tubacionit të gazit.

Autoriteti vuri në dukje se “akuzat kundër 6 operatorëve ekonomikë u ngritën në këtë rast të veçantë dy vjet më parë” që përfshinte kompanitë si Gazprom, Engie, Uniper, OMV, Shell dhe Wintershall.

Në vitin 2015, UOKiK-u pranoi një kërkesë të paraqitur nga 6 kompanitë për miratim për themelimin e një ndërmarrjeje të përbashkët përgjegjëse për ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit të gazit “Rrjedha e Veriut 2”.

Megjithatë në vitin 2016, kryetari i UOKiK-ut shprehu shqetësime dhe rezerva mbi skemën e bashkimit, duke vërejtur se transaksioni i planifikuar mund të çojë në një kufizim në konkurrencë.

“Kompanitë tërhoqën aplikimin e tyre që në praktikë nënkuptonte se ata kishin hequr dorë nga bashkimi. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj, u shfaq informacioni se palët e ardhshme në transaksion kishin nënshkruar një marrëveshje për financimin e tubacionit të gazit”, thuhet më tej.

“Vendimi i pashembullt dhe vendosja e dënimit maksimal janë rezultati i procedurave që UOKiK ka përfunduar në lidhje me një kompani që është përgjegjëse për ndërtimin dhe funksionimin e tubacionit të gazit ‘Rrjedha e Veriut 2’ pa pëlqimin e kërkuar të kryetarit të UOKiK-ut”, thuhet në deklaratë.

Prandaj, sipas deklaratës, filluan procedurat kundër “Gazpromit” dhe 5 partnerëve të saj tregtarë në lidhje me ekzekutimin e transaksionit pa marrë miratimin nga autoriteti.

Gazsjellësi “Rrjedha e veriut 2”, një investim i përbashkët i gjatë 1.200 kilometra midis “Gazpromit” të Rusisë dhe 5 ndërmarrjeve evropiane është vendosur të dyfishojë kapacitetin aktual vjetor prej 55 miliardë metër kubë të tubacionit “Rrjedha e veriut”.

Vendet përgjatë rrugës së ndërtimit, përfshirë Gjermaninë, Finlandën dhe Suedinë kanë dhënë tashmë leje dhe Danimarka, e cila fillimisht shprehu kundërshtimin e projektit, ra dakord për një leje vitin e kaluar.