18:40 / E Martë, 28 Gusht 2018 / indeksADMonline

Polonia inkurajon kursimet, pa kursime 75 për qind e popullsisë

Qeveria polake paraqiti sot detajet e një skeme vullnetare të sigurimit pensional që synon bindjen e polakëve për të filluar kursimin dhe mbrojtjen e atyre me pensione të ulëta.

Brenda këtij programi, punonjësit, punëdhënësit dhe qeveritë do të paguajnë rregullisht shuma të vogla në llogaritë individuale, transmeton AP.

Programi, i hartuar për rreth 11.5 milionë njerëz me kontrata pune me pak ose aspak kursime, duhet të nisë vitin e ardhshëm si pjesë e një përpjekjeje për të zvogëluar presionin mbi sistemin e pensioneve shtetërore, i cili, mendohet se nuk do të jetë në gjendje për të përmbushur kërkesat e ardhshme.

Programi është gjithashtu pika më e fundit e kthimit në politikën sociale të Partisë qeverisëse të Drejtësisë dhe Ligjit, sipas agjencisë AP, duke shtuar se sipas statistikave të qeverisë polake, 75 për qind e 38 milionë njerëzve në Poloni nuk kanë kursime.

 

Temat: