Pompeo darkoi me Ursula von der Leyenin, sot takon Stoltenbergun
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka mbërritur në Bruksel për të zhvilluar një seri takimesh me shefin e NATO-s për të biseduar për Afganistanin, si edhe me krerët e ardhshëm të BE-së para se të marrin funksionet e tyre zyrtarisht.
Mbrëmë Pompeo ka darkuar me presidenten e zgjedhur të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i cila do të marrë detyrën më 1 nëntor. Ai e uroi atë për zgjedhjen e saj dhe postoi fotografi në Twitter nga takimi i tyre.
“Mezi presim të punojmë së bashku për një sërë çështjesh globale”, tha Pompeo.
Vizita vjen në një kohë të tensionit diplomatik midis aleatëve transatlantikë, përfshirë tarifat mbi tregtinë e makinave evropiane dhe ndryshimet e politikave për Iranin dhe ndryshimet klimatike.
Pompeo, do të takohet gjithashtu sot në mëngjes me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ndërkohë që në Afganistan marrëveshja historike midis amerikanëve dhe talebanëve tashmë konsiderohet si përfundimtare.
Sipas të dërguarit amerikan, Zalmay Khalilzad, projektmarrëveshja e paqes për t’u përpjekur për t’i dhënë fund 18 vjetëve të luftës në këtë vend parashikon një tërheqje të amerikanëve nga pesë baza ushtarake brenda 135 ditëve nëse talebanët i përmbahen angazhimeve të tyre.